Skip to content Skip to footer

Depresioni

Depresioni (i quajtur edhe çrregullimi depresiv madhor ose depresioni klinik) është i zakonshëm por shkakton probleme serioze të humorit. Kz çregullim shkakton simptoma të rënda që ndikojnë në mënyrën se si ne ndihemi, mendojmë dhe trajtojmë aktivitetet e përditshme, si gjumi, ngrënia apo puna. Për t’u diagnostikuar me depresion, simptomat e lartpërmendura duhet të jenë të pranishme për të paktën dy javë.

Ekzistojnë lloje të ndryshme të depresionit, disa prej të cilave zhvillohen për shkak të rrethanave specifike.

• Crregullimi Depresiv Madhor, përfshin simptoma të depresionit pjesën më të madhe të kohës për të paktën 2 javë dhe zakonisht ndërhyjnë në aftësinë e dikujt për të punuar, për të fjetur, për të studiuar apo për t’u ushqyer.

• Çrregullimi i Vazhdueshëm Depresiv (i quajtur dhe distimia), i cili shpesh përfshin simptoma më të lehta të depresionit por që zgjasin shumë më gjatë, zakonisht, për të paktën 2 vite.

• Depresioni perinatal, i cili shfaqet kur një grua përjeton depresion të madh gjatë shtatzënisë ose pas lindjes (depresioni pas lindjes – post partum).

• Çrregullimi Emocional Sezonal, i cili vjen dhe shkon me stinët, zakonisht fillon në fund të vjeshtës dhe në fillim të dimrit dhe largohet gjatë pranverës dhe verës.

• Depresioni me simptoma të psikozës, i cili është një formë e rëndë e depresionit ku një person përjeton simptoma psikotike, të tilla si deluzione (shqetësuese, besime irracionale) ose halucinacione (dëgjimi ose shikimi i gjërave që të tjerët nuk i shohin ose dëgjojnë).

Simptomat

Nëse keni përjetuar disa nga shenjat dhe simptomat e mëposhtme shumicën e ditës, pothuajse çdo ditë, për të paktën dy javë, mund të vuani nga depresioni:

• Gjendja e vazhdueshme e trishtuar, e shqetësuar ose ndjesi të të ndjerit “bosh”;

• Mungesë e shpresës, ose pesimizëm;

• Ndjenjat e nervozizmit, zhgënjimit apo shqetësimit;

• Ndjenja të fajit, pavlefshmërisë ose të pafuqisë;

• Humbje interesi ose kënaqësie në aktivitete që më parë konsideroheshin të kënaqshme;

• Ulje e energjisë, lodhje;

• Vështirësi për t’u përqendruar, për të mbajtur mend apo për të marrë vendime;

• Vështirësi për të fjetur, zgjim herët në mëngjes, ose gjumë i tepërt;

• Ndryshime në oreks ose ndryshime të konsiderueshme në peshë;

• Mendime për vdekjen dhe vetëdëmtuese, ose tentativa për dëmtim të vetes;

• Dhimbje koke, ngërçe ose probleme me tretjen pa një shkak të qartë fizik që nuk lehtësohen as me trajtim me medikamente;

Jo të gjithë ata që janë në depresion përjetojnë çdo simptomë. Disa njerëz përjetojnë vetëm disa simptoma, ndërsa të tjerët mund të përjetojnë simptoma të tjera. Për një diagnozë të depresionit madhor kërkohen disa simptoma të vazhdueshme përveç humorit të ulët. Sidoqoftë edhe njerëzit me vetëm disa simptoma të cilat janë shqetësuese – mund të përfitojnë nga trajtimi. Ashpërsia, shpeshtësia dhe kohëzgjatja e simptomave ndryshojnë në varësi të individëve.

Faktorët e riskut

Depresioni është një nga çrregullimet mendore më të zakonshme në botë. Studimet sugjerojnë se faktorët gjenetikë, biologjikë, mjedisorë dhe psikologjikë luajnë një rol në zhvillimin e çrregullimit të depresionit.

Depresioni mund të ndodhë në çdo moshë, por më shpesh fillon në moshën madhore. Depresioni ditët e sotme ndodh dhe tek fëmijët e adoleshentët, ku shfaqet më tepër me nervozizëm të theksuar sesa humor të ulët. Shumë çrregullime kronike të humorit dhe ankthit tek të rriturit i paraprijnë niveleve të larta të ankthit tek fëmijët.

Depresioni, veçanërisht në moshën e mesme mund të bashkëshoqërohet me sëmundje të tjera serioze mjekësore, si diabeti, kanceri, sëmundjet e zemrës dhe sëmundja e Parkinsonit. Këto kushte shpesh janë më të këqija kur depresioni është i pranishëm, dhe studimet sugjerojnë se njerëzit që kanë depresion dhe një sëmundje tjetër mjekësore priren të kenë simptoma më të rënda të të dyja sëmundjeve. Ndonjëherë medikamentet për këto sëmundje fizike mund të shkaktojnë efekte anësore që kontribuojnë në shfaqjen e simptomave depresive. Një mjek me përvojë në trajtimin e këtyre sëmundjeve të komplikuara mund të ndihmojë në hartimin e strategjisë më të mirë të trajtimit

Faktorët e rrezikut përfshijnë:

• Histori personale ose familjare të depresionit;

• Ndryshime të mëdha jetësore, përballja me evente traumatike ose stresuese;

• Disa sëmundje mjekësore.

Trajtimi

Depresioni, edhe në format më të rënda, mund të trajtohet. Sa më herët të fillohet trajtimi, aq më efektiv do të jetë. Depresioni zakonisht trajtohet me medikamente, psikoterapi ose një kombinim të të dyjave. Nëse këto trajtime nuk reduktojnë simptomat, terapia elektrokonvulsive (ECT) dhe terapi të tjera të stimulimit të trurit mund të jenë mundësi trajtimi.

Medikamentet

Antidepresantët janë medikamente që përdoren zakonisht për të trajtuar depresionin. Ato mund të ndihmojnë në përmirësimin e mënyrës sesi truri juaj përdor disa kimikate që kontrollojnë stresin. Mund t’ju duhet të provoni disa medikamente të ndryshme kundër depresionit përpara se të gjesh atë që përmirëson simptomat tuaja dhe ka efekte anësore të menaxhueshme. Shpesh do të merret parasysh një mjekim që ju ka ndihmuar juve ose një anëtari të ngushtë të familjes në të kaluarën.

Barnat kundër depresionit kërkojnë kohë – zakonisht 4 deri në 8 javë – për të funksionuar dhe shpesh simptomat si problemet e gjumit, oreksi dhe përqendrimi përmirësohen përpara se të ngrihet humori, kështu që është e rëndësishme t’i jepni një shans ilaçit përpara se të vendosni nëse funksionojnë ose jo.

Nëse filloni të merrni ilacet kundër depresionit, mos e ndaloni marrjen e tyre pa folur me mjekun specialist që ju ndjek. Ndonjëherë njerëzit që marrin medikamente kundër depresionit ndihen më mirë dhe më pas ndalojnë marrjen e ilaçeve vetë dhe depresioni kthehet. Kur ju dhe mjeku juaj të keni vendosur se është koha për të ndërprerë mjekimin, zakonisht pas një kursi prej 6 deri në 9 muaj, mjeku do t’ju ndihmojë të ulni ngadalë dhe në mënyrë të sigurt dozën tuaj. Ndalimi i papritur i tyre mund të shkaktojë simptoma të tërheqjes.

Psikoterapitë

Disa lloje të psikoterapisë e quajtur edhe “terapia e të folurit” mund të ndihmojnë njerëzit me depresion duke mësuar mënyra të reja të të menduarit dhe sjelljes dhe si të ndryshojnë zakonet që kontribuojnë në depresion. Shembuj të qasjeve të bazuara në prova specifike për trajtimin e depresionit përfshijnë terapi njohëse-sjellëse (CBT) dhe terapi ndërpersonale (IPT).

Our site uses cookies. Learn more about our use of cookies: cookie policy