Skip to content Skip to footer

Çrregullimi Obsesivo-Kompulsiv

Çrregullimi obsesiv-kompulsiv karakterizohet nga një model mendimesh dhe frikash të padëshiruara (obsesione) që çojnë në sjellje të përsëritura (kompulsione). Këto obsesione dhe detyrime ndërhyjnë në aktivitetet e përditshme dhe shkaktojnë shqetësime të konsiderueshme në jetën e njeriut.


Obsesionet janë mendime, impulse ose përfytyrime të qëndrueshme, të padëshirueshme, që për vetë personin janë pa kuptim dhe të futura me forcë, por që akoma vazhdojnë të jenë në mendjen e tij. Edhe pse vetë personi ka bërë përpjekje të vazhdueshme për t’i izoluar dhe për ti neutralizuar me anën e disa veprimeve, metodave kjo nuk është arritur. Sipas studimeve obsesionet e shtojnë ankthin e një individi. Obsesionet më të zakonshme janë mendimet e kontaminimit (psh.:marrja e një sëmundjeje të frikshme nëpërmjet prekjes), të dyshimit (frika e vazhdueshme se mos ka lënë derën hapur, mos ke lënë ndezur furrën) dhe të dhunës fizike (psh.:për të dëmtuar familjarët),

Kompulsionet janë veprime të përsëritura, të qëllimshme, të pamenduara, që pakësojnë ankthin dhe që kryhen për të neutralizuar një obsesion, zakonisht në përputhje me disa rregulla strikte ose në mënyrë stereotipike. Njerëzit e ndiejnë se duhet të kryejnë këto veprime për të shmangur situatat e frikshme. Edhe në këto raste ata përpiqen t’i rezistojnë realizimit të tyre, pasi e kuptojnë që janë të paarsyeshme. Veprimet kompulsive nuk i japin kënaqësi afatgjatë personit, por momentalisht ato lehtësojnë tensionin dhe ankthin. Kur personi përpiqet t’i rezistojë kompulsionit, tensioni ngrihet dhe mund të lehtësohet kur të kryhet akti kompulsiv. Kompulsionet më të zakonshme janë larja e tepruar e duarve, numërimi, kontrollimi (psh.:për tu siguruar se celësi i sobës është fikur), prekja (psh.:prekja e objekteve të dhomës para se personi të shkojë për të fjetur), vendosja e objekteve në mënyrë specifike.

Çrregullimi obsesiv-kompulsiv zakonisht trajtohet me medikamente dhe psikoterapi. Sipas studimeve trajtimi më efektiv është një kombinim i të dyjave.

Our site uses cookies. Learn more about our use of cookies: cookie policy